Albaniansport.net 22.01.2016 09:35
ASNN – Gjegji, Gjini, Frangaj dhe Doçi nuk kanë udhëtuar me skuadrën kuqezi të femrave, ku kanë qenë pjesë e hershme, pasi prindërit s’i kanë lënë. Motivi? Skandali që u krijua për ngacmimet seksuale. Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive shqiptare “Sport Ekspres”, Kombëtarja e femrave është grumbulluar ditën e djeshme në Pogradec, por trajneri Altin Rraklli s’do të ketë katër futbolliste, të cilat kanë refuzuar thirrjen me ekipin kuqezi.
Më saktësisht bëhet fjalë për Ambra Gjegjin, Luçie Gjinin, Esmeralda Frangajn dhe Megi Doçin. Sipas informacioneve të gazetës “Sport Ekspres”, që ka kontaktuar edhe më njërën nga këto vajza, motivi është personal dhe, më së shumti, ajo që është lënë të kuptohet është se pikërisht familjarët e këtyre vajzave nuk kanë dashur që të shkojnë në grumbullim me Kombëtaren.
Një nga motivet kryesore ka të bëjë me skandalet që kanë ndodhur pak kohë më parë me ngacmimet seksuale dhe mesazhet e nxehta të trajnerit Altin Rraklli me disa nga vajzat, por edhe për atmosferën e krijuar në kombëtaren e femrave. Të gjitha futbollistet në fjalë luajnë me ekipin e Vllaznisë, që është edhe skuadra kampione e Shqipërisë. Madje, habia ka të bëjë me faktin se të gjitha vajzat që kanë refuzuar kanë qenë pjesë e vazhdueshme e kombëtares së femrave, por jehona e gjerë e ngjarjeve lidhur me figurën e trajnerit ka sjellë edhe këtë situatë