Gjergj Vyshka 21.04.2015 10:10
Shorti i Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të futbollit të femrave nuk ka kaluar në heshtje as nga lojtaret tona. Kështu në një vlerësim nga kapitenia e kombëtares, Aurora Seranaj, shorti është cilësuar i vështirë, por jo aq i pamundur sa për të mos e bërë Shqipërinë dinjitoze në këto Eliminatore.
“Për ne është një grup i rëndësishëm, – ka deklaruar ajo. – Janë të gjitha skuadra me shumë eksperiencë, kurse kombëtarja jonë vjen gjithnjë duke u rritur dhe forcuar. Sepse tashmë është duke përfituar dhe lojtare të reja cilësore. Për kombëtaren tonë të femrave ka dhe interesim dhe besoj se do të japim maksimumin në çdo ndeshje.”
“Shpresojmë të jemi të suksesshëm në këto Eliminatore, sepse besoj se kemi shanse dhe shpresa për të bërë më të mirën, – ka vijuar futbollistja kuqezi. – Ne do të japim maksimumin jo vetëm ndaj Greqisë, por dhe ndaj Francës, Ukrainës dhe Rumanisë. Janë të gjitha skuadra me përvojë, ndërsa humbja nuk i pëlqen askujt.”
“Por ne shpresojmë të jemi mirë deri atëherë”, – ka përfunduar kapitenia e Kombëtares së futbollit të femrave, Aurora Seranaj.