AlbanianSport.com 22.04.2016 17:05
ASNN – Ajo që vetë ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi kishte paralajmëruar në deklaratat e para pak javëve, është zyrtarizuar sot në drekë, gjatë një konference për shtyp të mbajtur në mjediset e organizmit që qeveris futbollin shqiptar, FSHF-së.
Altin Rraklli nuk është më trajner i Kombëtares së femrave dhe është Armir Grima ai që zëvendëson. “Armir Grima, do të jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare të femrave”, – ka konfirmuar zëdhënësja për shtyp e Federatës Shqiptare të Futbollit, Jona Dervishi.
Kështu, pas dorëheqjes së kavajasit Altin Rraklli, sot është prezantuar zëvendësuesi e tij, që është Armir Grima, ndërsa ndihmës i tij është zgjedhur një tjetër shkodran, Vioresin Sinani.
Pas pesë vjetëve në këtë detyrë, Rraklli është larguar nga stoli i vajzave kuqezi për arsye familjare, ka shpjeguar Dervishi. Armir Grima dhe Vioresin Sinani janë dy ish futbollistë të njohur të Vllaznisë, të aktivizuar edhe me ekipin kombëtar, i pari si portier dhe i dyti si sulmues.