Gjergj Vyshka 27.04.2016 07:55
Nisja jo e mbarë për trajneri e ri të kombëtares së futbollit të femrave, Armir Grima,ndërsa për hungarezet është kthyer në “snajper” Vago. Hungaria e futbollit të femrave ka luajtur tenis me Kombëtaren e Shqipërisë, në një ndeshje miqësore, e cila është zhvilluar dje në mesditë në Gjor dhe është fituar nga vendaset me rezultatin 6-0.
Një nisje jo i mbarë për trajnerin e kombëtares së Shqipërisë për femra, Armir Grima, i cili sigurisht nuk ka pasur “shkopin magjik” për të ndryshuar situatën në këtë përfaqësuese.
Që nga gushti i kaluar kur për herë të fundit është fituar me Turqinë, vajzat kuqezi njohin vetëm humbje (0-1 me Turqinë, 1-4 me Greqinë, 0-3 me Rumaninë, 0-6 me Francën, 2-3 me Greqinë, 1-3 me Kosovën, 0-2 me Ukrainën dhe tanimë 0-6 me Hungarinë).
Hungaria vinte pas ndeshjeve të mira në Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Holandë 2017” pas fitore 2-0 me Kroacinë dhe barazimit 3-3 me Rusinë, kurse në qershor do të ketë përballë Turqinë. Ndërkohë që, më 2 qershor 2016, Shqipëria do të presë Rumaninë.