AlbanianSport.com 04/03/2024 16:50
ASNN – Eliminatoret e Evropianit të futbollit për femra, çfarë duhet të dini për shortin e 5 marsit & rivalet e mundshme të Shqipërisë. Kështu, vajzat kuqezi do të njohin të martën e 5 marsit, kundërshtaret për Eliminatoret e Evropianit “Zvicër 2025”. Në shortin që do të hidhet nesër në ora 13:00 në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, 51 skuadrat që do të marrin pjesë në këto Eliminatore do të jenë të ndara në 3 Liga, A (16 skuadra), B (16 skuadra) dhe C (19 skuadra). Kombëtarja kuqezi ndodhet në Ligën C në vazon e parë dhe në të njëjtën vazo me të janë edhe Bjellorusia, Greqia, Rumania dhe Sllovenia.
Kundërshtaret e tjera të Ligës C, që priten të jenë edhe rivalet e mundshme të Shqipërisë në Eliminatoret e Evropianit “Zvicër 2025” janë të ndarë në 3 vazo të tjera. Në vazon e dytë janë 5 skuadra: Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania dhe Mali i Zi. Edhe në vazo e 3-të ndodhen 5 skuadra: Andorra, Qipro, Kazakistani, Luksemburgu dhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa në vazon e 4-t janë vetëm 4 ekipe: Armenia, Ishujt Faroe, Gjeorgjia dhe Moldavia. Liga A dhe B që kanë nga 16-të skuadra do të ndahen në 4 grupe me nga 4 ekipe.
Ndërsa Liga C në të cilën bën pjesë dhe Shqipëria do të ndahet në 5 grupe. Katër grupet e para me nga 4 ekipe, ndërsa grupi i 5-të do të jetë me vetëm 3 skuadra. Pesë vendet e para nga secili grup në Ligën C do të kalojnë në Ligën B edicionin e ardhshëm kualifikues. Një mundësi e mirë për të kaluar në Ligën B do të jetë edhe si vendi i dytë, pasi 3 vendet më të mira të dyta në Ligën C do të përballen me 3 skuadrat më të mira të renditura në vendet e 3-ta në Ligën B. Fitueset në edicionin e ardhshëm eliminator do të luajnë në Ligën B, ndërsa ekipet që do të humbasin në Ligën C.
Ndeshjet eliminatore do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje. Gjithçka do të nisë në muajin prill të këtij viti, ku Shqipëria e futbollit të femrave do të zhvillojë dy sfidat e para, më pas në fundin e muajit maj dhe në fillimin e qershorit do të luhen dy ndeshjet e tjera. Ndërsa në muajin korrik do të zhvillohen dy sfidat e fundit të grupit.
Kalendari i ndeshjeve:
Ndeshja 1 & 2:
3-9 prill 2024
Ndeshja 3 & 4:
29 maj-4 qershor 2024
Ndeshja 5 & 6:
10-16 korrik 2024
Pas përfundimit të sfidave eliminatore, do të nisë faza e “play-off”-it, që do të përcaktojë ekipet që do të kualifikohen për në Evropianin “Zvicër 2025”. Tetë skuadrat më të mira të Ligës A, 4 vendet e para dhe të dyta të çdo grupi do të kualifikohen automatikisht për në “Euro 2025”. Ndërsa, 4 skuadrat e vendin të 3-të dhe të 4-t të çdo grupi në Ligën A do të kalojnë në turin e parë të Play-off-it ku do të përballen me 5 vendet e para të çdo grupi në Ligën C dhe 3 vendet e dyta më të mira në këtë ligë. 16 skuadrat do të përballen në vazon e parë të “play-off”-it me sistem vajtje-ardhje. Dhe në turin e dytë do të kalojnë 8 skuadrat më të mira.
Ndërsa në vazon e dytë të turit të parë të “play-off”-it do të përballen, 4 vendet e para, të dyta dhe të 3-ta të Ligës B me sistem vajtje-ardhje dhe në turin e dytë do të kualifikohen 6 ekipet më të mira. Më pas, skuadrat e kualifikuara në turin e dytë do të përballen më njëra-tjetrën, po me sistem vajtje-ardhje nga ku do të përcaktohen edhe 7 ekipet e tjera që do të shkojnë në fazën finale të Evropianit. 15 skuadrat do t’i bashkangjiten Zvicrës, që është e kualifikuar automatisht si vendi organizator dhe do të luajnë shanset për fitimin e trofeut të Evropianit për vajza, i cili do të zhvillohet nga data 2, deri më 27 korrik 2025.
Shorti i fazës së “Play-off”-it:
19 korrik 2024
Turi i parë:
23 – 29 tetor 2024
Turi i dytë:
27 nëntor – 3 dhjetor 2024