Gjergj Vyshka 17.02.2017 11:15
Kombëtaret e femrave në futboll, përkatësisht Kombëtarja e të rriturave dhe ajo e Nën-19-vjeçareve, do të zhvillojnë në fund të muajit takime miqësore.
Ato tashmë janë të konfirmuara, sipas profilit të Federatës Shqiptare të Futbollit në rrjetin social “Facebook”, ndërsa të 3 ndeshjet do të luhen me Malin e Zi.
Skuadra kombëtare e femrave e trajnerit Armir Grima do të luajë dy takime me ekipin përfaqësues të femrave të Malit të Zi, më 28 shkurt dhe 2 mars 2017.
Takimi i parë do të luhet në Stadiumi “Elbasan Arena”, ndërsa sfida e datës 2 mars do të zhvillohet në Shkodër në Stadiumin “Loro Boriçi”.
Skuadra kombëtare e Nën-19-vjeçareve, nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, do ta zhvillojë ndeshjen në datë 1 mars në Fier në stadiumin “Loni Papuçiu”.
Ndërkohë, në maj, po për Nën-19-vjeçaret është parashikuar një tjetër ndeshje miqësore me Malin e Zi.