AlbanianSport.com 22/10/2021 18:40
ASNN – Pas një barazimi dhe një humbjeje të thellë, ka ardhur më në fund edhe një fitore, që për më tepër, ka qenë mbresëlënës, pasi kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave fitoi të enjten me rezultatin 5-0 ndaj Armenisë në ndeshjen e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Australi-Zelandë e Re 2023”. Vajzat kuqezi bënë një paraqitje fantastike në fushë, duke dhuruar emocione të mëdha dhe regjistruan fitoren më të thellë të Shqipërisë në një ndeshje zyrtare.
Dhe protagonistët e përfaqësueses kuqezi shprehen shumë të kënaqur për suksesin, por edhe për lojën e zhvilluar nga Shqipëria në këtë ndeshje të rëndësishme. Kështu, kapitenia Megi Doçi vlerësoi suksesin si të merituar, teksa shprehu besimin se ky grup është i konsoliduar dhe se është në gjendje të bëjë të papritura në të ardhmen. Gjithashtu, sulmuesja u shpreh e kënaqur edhe për golat e shënuar, por më shumë për dy pasimet për gol të dhëna gjatë fitores.
“Sigurisht që jemi shumë të kënaqur, bëmë një lojë mjaft të mirë dhe e dominuam ndeshjen si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën, – ka thënë ajo. – Krijuam raste, ditëm t’i shfrytëzonim dhe arritëm ta fitojmë me meritë këtë ndeshje. Jam shumë e kënaqur për golat që shënova, por më e kënaqur jam për dy pasimet për gol që dhashë dhe për fitoren e Kombëtares. Mendoj që kjo ishte një fitore morali për ne dhe besoj se të gjitha vajzat ndihen mirë, atmosfera është pozitive dhe jemi gati të japim maksimumin në Poloni për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.”
“Kemi treguar nga viti në vit që jemi rritur dhe kemi treguar që dimë të luajmë futboll. Duhet të dimë që edhe grupi është i konsoliduar, jemi gati 8 vajza që luajmë prej kohësh bashkë si edhe vajzat e tjerë që vijnë nga jashtë. Mendoj se ky grup mund të bëjë paraqitje të mira dhe sigurisht me dëshirën për të bërë surprizën në këtë grup eliminator sepse pritet shumë nga ne”, – përfundoi Doçi.