AlbanianSport.com 06/03/2024 18:25
ASNN – Kombëtarja e femrave, caktohet kalendari. Eliminatoret e “Euro 2025”-s, vajzat kuqezi e nisin dhe e mbyllin me Luksemburgun. Kështu, do ta nisë në fushë të huaj me Luksemburgun dhe do ta mbyllë në shtëpi po ndaj përfaqësueses së Principatës. Ky është rrugëtimi i Kombëtares kuqezi të futbollit të femrave, që ka njohur të mërkurën edhe kalendarin e Eliminatoreve të “Euro 2025”-s, ku do të përballet dy herë edhe me Estoninë.
Pas hedhjes së shortit në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, ku Shqipëria e femrave u pozicionua në grupin C5, së bashku me Estoninë dhe Luksemburgun, organizmi që qeveris futbollin botëror ka zbardhur edhe kalendarin e plotë të Kombëtares kuqezi në Eliminatoret në Evropianin “Zvicër 2025”. Shqipëria do ta nisë rrugëtimin në fushë të huaj ndaj Luksemburgut dhe kjo sfidë e parë e këtyre Eliminatoreve do të zhvillohet më 5 prill 2024.
Katër ditë më pas, më datë 9 prill, vajzat kuqezi do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Estonisë. Në muajin maj më datë 31, Shqipëria e futbollit të femrave do të luajë sërish ndaj Estonisë, por në fushë të huaj. Ndeshja e fundit e Kombëtares kuqezi për Eliminatoret e Evropianit “Zvicër 2025” do të jetë në shtëpi ndaj Luksemburgut, më 4 qershor 2024.
Më poshtë, edhe kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë së femrave në Eliminatoret e “Euro 2025”:
5 prill 2024:
Luksemburg – Shqipëri
9 prill 2024:
Shqipëri – Estoni
31 maj 2024:
Estoni – Shqipëri
4 qershor 2024:
Shqipëri – Luksemburg