AlbanianSport.com 06.07.2015 13:35
ASNN – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fituar Kampionatin Botëror në Futboll për Femra, pasi amerikanet kanë mundur Japoninë në finale, me rezultatin 5-2. Trofeu rikthehet në Amerikë pas 16 vitesh. Protagonistja kryesore e fitores së SHBA ka qenë Karli Llojd.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fituar Botërorin e femrave në futboll duke mposhtur Japoninë në finale me rezultatin 5-2, por ai që spikati, ishte fakti se fitorja e amerikaneve u sigurua që në 16 minutat e para të takimit, kur ato arritën të shënojnë plot 4 gola.
Ishte pikërisht kapitenia Karli Llojd që hapi serinë e golave në minutën e tretë dhe në të pestë, duke e çuar rezultatin në 2-0. Në minutën e 14-të, Holidej trefishoi epërsinë për amerikanet, ndërsa në të 16-tën, me një supergoditje të zgjuar që nga mesi i fushës, kapitenia shënoi golin e katërt.
Japonia ngushtoi diferencën fillimisht në minutën e 27-të, përmes Juki Ogimit, dhe, më pas, në pjesën e dytë, falë autogolit të Xhonstonit në minutën e 52-të. Por kjo nuk mjaftoi pasi Hiith realizoi edhe një herë duke e çuar në 5 numrin e golave për amerikanet e duke e shuar përfundimisht ëndrrën e japonezeve.
Botërori 2015, i mbajtur në Kanada, është triumfi i tretë i amerikaneve në kampionatet botërore, ndërsa kishin një periudhë kohe prej 16 vitesh që nuk e fitonin këtë trofe. Sikundër dy gjysmëfinalet, edhe finalja e madhe e 4 korrikut u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.