AlbanianSport.com 14.04.2015 23:20
ASNN – Një tjetër episod aspak të këndshëm ka rezervuar ditët e fundit futbolli i femrave. Derbi i kryeqytetit mes Tirana AS dhe Kinostudios u luajt vetëm 45 minuta. Në fakt, kjo ndeshje serviri probleme që në nisje të saj. Ajo nisi me 35 minuta me vonesë, pasi mungonte mjeku që duhej ta siguronte ekipi pritës që në rastin konkret ishte Tirana AS. Pasi mjeku ka ardhur, ndeshja ka filluar normalisht. Por, në përfundim të pjesës së parë, ambulanca u largua.
Është pritur 30 minuta, që është koha e mjaftueshme në këto raste për rikthimin e saj, por ajo nuk erdhi më dhe ndeshja u konsiderua e mbyllur. Kështu që kjo ndeshje ka përfunduar pas 45 minutave lojë. Në këto 45 minuta, skuadra e Kinostudios ka qenë superiore, duke realizuar dy gola, fillimisht me anë të Begallos në minutën e tretë dhe në të 38-tën është Ambra Gjergji që ka dyfishuar. Kështu skuadra e Kinostudios shkon në pushimin e dy pjesëve me rezultatin 2-0.
Përveç kohës së pushimit, edhe 30 minuta të tjera në pritje të ardhjes së ambulancës, por ajo nuk erdhi dhe këtu u mbyll gjithçka.