AlbanianSport.com 24.09.2014 20:40
Është marrë më në fund vendimi i shumëpritur për Sopotin për sa i përket fushës se ku do t’i luajë ndeshjet e saj në këtë sezon në Kategorinë e Parë. Për fat të keq nuk do të ketë ndeshje në Librazhd, por jashtë saj. Vendimi ka ardhur si pasojë e gjendjes së keqe të fushës, e cila si duhet nuk i plotëson kushtet e vendosura nga FSHF. Një arsye e fortë që çoi në këtë vendim ka qenë edhe rruga, që kalon ngjitur me stadiumin. Sepse në rregullore kjo rrugë duhet të jetë disa metra larg për arsye sigurie. Investimet që bëri Bashkia Librazhd në restaurimin e fushës kanë qenë të shumta, por siç duket jo të mjaftueshme dhe tashmë fusha do të shërbejë vetëm për seancat stërvitore të ekipit.
Kjo do të ndikojë keq tek ekipi e tek tifozeria, ndërsa kjo e fundit kishte shprehur dëshirën e madhe për t’i luajtur ndeshjet në Librazhd. Pas vendimit të FSHF për të mos lejuar zhvillimin e ndeshjeve në Librazhd, drejtuesit e Sopotit kanë filluar bisedimet me ata të Cërrikut, që ndeshjet të zhvillohen në Fushën Sportive “Nexhip Trungu”. Palët kanë rënë dakord dhe tani librazhdasit do të udhëtojnë drejt Cërriku për të zhvilluar ndeshjet. Dhe ndodh kështu pasi stadiumi i Cërrikut është në gjendje të mirë dhe ndodhet afër për të eliminuar rrugëtimin e gjatë. FSHF e vonoi shumë vendimin e kësaj çështje dhe krijoi përshtypjen se ndeshja do të zhvillohej në Librazhd.
Por çdo gjë është ndryshuar në momentet e fundit. Ndeshja e parë do të zhvillohet kundër Butrintit dhe skuadra është duke u përgatitur intensivisht për të dhënë maksimumin e për ta fituar këtë ndeshje. “Do ta kemi të vështirë edhe psikologjikisht tani që ndeshjet nuk do të luhen në qytetin tonë. Duke marrë shembull dhe Elbasanin që nuk po ia del dot ndoshta dhe për këtë fakt edhe ne mund ta kemi të vështirë. Por ne do të përgatitemi dhe do të japim maksimumin në çdo ndeshje për të marrë pikë”, – ka thënë trajneri Stojku.