AlbanianSport.com 18.04.2016 18:55
ASNN – Ndonëse javët e fundit të sezonit supozohet që, për të shmangur aleancat apo lëshimet e mundshme, ndeshjet të zhvillohen ditë dhe në orare të njëjta, duket se e drejta televizive po del më e fortë dhe po e shtyn Federatën Shqiptare të Futbollit në akrobaci kalendari, ndërsa klubet thjesht po ndjekin udhëzimet. Kështu, gara për titullin “kampion” në Kategorinë Superiore ka hyrë në një fazë kulmore dhe për këtë, Federata Shqiptare e Futbollit do të kujdeset më shumë për shpërndarjen e orareve të ndeshjeve vendimtare, që japin verdiktet mbi objektivat konkretë.
Ngushtimi i hendekut të pikëve mes Skënderbeut kryesues dhe Partizanit, por gjithashtu gara për vendet e tjera që të çojnë në Evropë, ka bërë që dy sfidat kryesore të zhvendosen të hënën e 25 prillit 2016. Pas zhgënjimit të rrallë që vuajti në shtëpi nga Tërbuni dhe që komplikon rikonfirmimin “kampionë”, për herë të 6-të radhazi, “Ujqërit e Dëborës” do të luajnë në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet ndaj Tiranës, të hënën në orën 19:00. Në po të njëjtën ditë, por në orën 16:00, Partizani do të ketë një pengesë akoma më të fortë, pasi do të luajë ndaj Kukësit në fushën e këtij të fundit.
Vetëm 2 pikë i ndajnë “Demat e kuq” nga ekipi korçar dhe në rastin më të parë që gabon formacioni i Josës, titulli është në rrezik. Ndërkohë, formacioni i trajnerit të ri, Klodian Duros, ka konfirmuar se meriton atë çfarë ki ka rezervuar renditja, dhe do të kërkojë të konsolidojë shkallën më të ulët të podiumit të Superiores. Një humbje e Kukësit dhe fitorja eventuale e Teutës këtë të shtunë ndaj Tërbunit, barazon bregdetarët dhe verilindorët në kuotë të njëjtë pikësh. Të dielën do të zhvillohen, ndërkohë, ndeshjet Vllaznia-Flamurtari dhe Bylisi-Laçi, të dyja në orën 16:00.