AlbanianSport.com 09/03/2020 20:45
ASNN – Nëntë vjet pas një cunami shkatërrues dhe katastrofës në uzinën bërthamore Fukushima Daiçi, vazhdon pastrimi për heqjen e mbeturinave nga objekti. Agjencisë Franceze të Lajmeve, AFP-së, iu dha mundësia e rrallë që të hyjë në dhomat e kontrollit të reaktorit dhe pjesët e tjera të uzinës për të treguar se si është gjendja, kur kanë mbetur pak muaj nga fillimi i Lojërave Olimpike në Tokio.
Tre nga gjashtë ndërtesat që strehonin reaktorët janë shkatërruar plotësisht. Ata që hyjnë në këto zona, janë të veshur me kostume të posaçme për “zonën e verdhë”. Këto nuk mbrojnë nga rrezatimi, i cili kalon përmes veshjeve, por kanë për qëllim të kufizojnë pluhurin radioaktiv që hyn në trup ose ndot rrobat. Karburanti i shkrirë, i mbetur në fund të reaktorëve, deri më tani arrihet vetëm nga robotët.
Një shqetësim i madh mbetet uji nëntokësor në zonën përreth që është i prekur nga lëndët radioaktive. Uji i ndotur në uzinë kalon përmes një sistemi filtrimi të njohur si ALPS për të zvogëluar radioaktivitetin. Pas filtrimit, uji akoma përmban një sasi të konsiderueshme tritiumi, i cili nuk mund të hiqet me teknologjinë aktuale. Zyrtarisht, ekzistojnë dy mundësi kryesore për ujin: avullimi në ajër ose shkarkimi i tij në det.
Por peshkatarët vendas dhe fermerët janë kundërshtarë të fortë, të kësaj ideje, për efektet në jetesën e tyre. Këto janë disa nga problemet që shqetësojnë vendet që do të marrin pjesë në olimpiadën e Tokios, e për të cilat, autoritetet vendore nuk kanë dhënë ende asnjë shpjegim.