AlbanianSport.com 12/02/2024 20:20
ASNN – Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës (SHRFD), këto janë vendimet që u morën nga anëtarët. Kështu, Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës ka mbledhur anëtarësinë e saj dhe ka zhvilluar sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme. Në punimet e asamblesë morën pjesë 23 anëtarë të përfaqësuar nga 34 delegatë.
Ndërsa në rendin e ditës ishin diskutimi i raportit të aktivitetit të Shoqatës, miratimi i pasqyrave Financiare, miratimi i buxhetit për vitin 2024, zgjedhja e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFD-në në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futrbollit (FSHF) si edhe miratimi i rregullores së veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.
I pranishëm në punimet e kësaj mbledhjeje ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili vlerësoi punën e bërë nga SHRF Durrës dhe i siguroi anëtarët se organizmi që ai drejton do t’i mbështesë vazhdimisht në të gjitha projektet, qoftë në nivel amator, ashtu edhe në atë profesionist. Pas verifikimit të delegatëve të Asamblesë, kryetari i SHRFD-së, Mikel Furxhi mbajti një fjalim të shkurtër ku prezantoi para të pranishmëve punën e bërë gjatë vitit 2023.
Ai theksoi se Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës i ka përmbushur me sukses të gjitha objektivat e vendosura, teksa ka pasur rritje të ekipeve dhe rritje të numrit të lojtarëve që janë angazhuar në futboll, sidomos pas projekteve të ndërrmara nga FSHF, “Topi im” dhe “Uniforma ime”. Kryetari i SHFRD-së, Mikel Furxhi përmendi edhe disa nga turnetë e organizuara përgjatë vitit 2023 dhe theksoi se prioritet i shoqatës mbetet evidentimi i futbollistëve të spikatur në ekipet e moshave.
Qëllimi i SHFRD-së në këtë 4-vjeçar është rritja e numrit të fëmijëve që merret me futboll (djem dhe vajza), si dhe një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të kushteve të infrastrukturës, si një element i rëndësishëm për zhvillimin e brezave të ardhshëm. Pushtetit vendor do t’i kërkohet një vëmëndje më e madhe për futbollin amator, që në të ardhmen të ndërtohen fusha të reja ose një kompleks rajonal për t’u vendosur në shërbim të SHRFD-së.
Më pas u vijua me miratimin e pasqyrave financiare dhe buxhetit, si edhe me zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFD-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, të propozuar nga anëtarësia. Pas votimit të anëtarëve të SHRFD u zgjodhën delegatë Mikel Furxhi, Adrian Dedja dhe Alfons Domi. U miratua edhe rregullorja e veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.
Gjithashtu, Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës do i shtohen edhe dy anëtarë të rinj me të drejta të plota që janë: Shoqata Sportive “Akademia e Futbollit D04” dhe Shoqata Sportive “Epidamnos”. Të gjithë anëtarët e SHRFD votuan pro pranimit të këtyre shoqatave.