AlbanianSport.com 04.05.2015 20:30
ASNN – Vendimi i shumëpritur nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për ndeshjen Serbi-Shqipëri pritet të jepet në datë 29 maj 2015. Ky lajm është bërë i ditur nga organizmi që qeveris futbollin shqiptar, FSHF-ja. Në një lajm të postuar në faqen zyrtare në internet të Federatës Shqiptare të Futbollit thuhet se vendimi do të bëhet publik në këtë datë, por mund të ketë edhe vonesa në varësi të hetimeve që po realizon kjo gjykatë sportive.
Ndërkohë, nga ana e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), të paktën në faqen e saj zyrtare në Internet, nuk ka asnjë konfirmim të një gjëje të tillë. Ndeshja e 14 tetorit 2014, midis Serbisë dhe Shqipërisë, u ndërpre për shkak të dhunës që u ushtrua nga tifozëria e vendasve kundrejt futbollistëve tanë. “Ne kemi shpresë për një qëndrim dinjitoz dhe korrekt ndaj Kombëtares sonë”, – thuhet në shkrimin e postuar nga FSHF-ja në faqen e saj zyrtare në Internet.
“Një qëndrim në favor të Shqipërisë është në favor të futbollit, duke i thënë “STOP” urrejtjes dhe racizmit, në sportin më të dashur në botë”, – vijon më tej organizmi që qeveris futbollin në vend. Seanca dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë për palën shqiptare u zhvillua në 17 prill, ndërkohë që një ditë më parë ishte dëgjuar pala serbe.