AlbanianSport.com 20/09/2021 19:25
ASNN – Mision inspektimi në Tiranë për qëmtimin e kushteve për epilogun e Ligës së Konferencës. Ndonëse duhen saktësisht edhe 249 ditë, apo thënë ndryshe diçka më tepër sesa 8 muaj nga finalja e Ligës së Konferencës, që do të luhet në Tiranë, UEFA nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë. Dhe javën që shkoi, organizmi që qeveris futbollin kontinental ka zbarkuar në kryeqytetin e vendit, duke inspektuar çdo aspekt që përfshin mikpritja dhe organizimi i një finaleje të tillë.
Deri në 25 majin e vitit të ardhshëm, kur një finale historike e një turneu madhor futbollistik, siç është ajo e Ligës së Konferencës, të mbahet në kryeqytetin shqiptar, duhen saktësisht edhe 249 ditë, apo thënë ndryshe diçka më tepër sesa 8 muaj. Por kur bëhet fjalë për një eveniment të tillë, që për më tepër është finalja e një turneu që debuton dhe që mbahet në një qytet që gjithashtu debuton në këtë nivel, siç është Tirana, UEFA nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë.
Dhe javën që shkoi, organizmi që qeveris futbollin kontinental ka zbarkuar në kryeqytetin e vendit, duke inspektuar çdo aspekt që përfshin mikpritja dhe organizimi i një finaleje të tillë. Sipas burimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, inspektorët e UEFA-s, kanë qëmtuar çdo hollësi të çdo aspekti, duke nisur nga logjistika, hoteleria dhe kulinaria, transporti, vetë stadiumi dhe gjithë infrastruktura mbështetëse, si fushat e stërvitjes, dhomat e zhveshjeve e të tjera.
Ndonëse nuk jepen shifra të sakta, mësohet se që tani janë prenotuar një pjesë e mirë e hoteleve kryesore të kryeqytet dhe shifra përllogaritet në mbi 500 dhoma të prenotuara. Kjo për arsye se në Tiranë pritet të vijnë jo vetëm dy skuadrat finaliste dhe i gjithë enturazhi i tyre, por edhe një “ushtri” zyrtarësh të futbollit evropian, që nis me drejtuesit e UEFA-s dhe vijon me sponsorët, me të ftuarit e nderit, siç janë ish-futbollistë të njohur apo personalitete nga fusha të tjera të jetës, por që kanë bashkëpunuar me organizmin që qeveris futbollin kontinental.
Me pak fjalë, në fundjavën që i paraprin të mërkurës së 25 majit, por edhe në ditët më pas, kryeqyteti shqiptar pritet të pushtohet nga futbolli evropian.