Gjergj Vyshka 10.01.2015 20:35
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të qartë se është duke vazhduar rrugëtimi i kursit të trajnerëve “UEFA Pro 3”. Dhe kjo sipas programit të Sektorit të Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ky kurs i nivelit të lartë ka disa vjet që zhvillohet në Shqipëri dhe licenca e tij është e njohur nga UEFA, duke qenë se edhe programet për të janë të miratuara dhe të organizuara në bashkëpunim me specialistët e saj.
Kursi ka nisur në muajin shtator të vitit 2014 dhe do të zgjasë deri në muajin qershor të vitit 2015. Gjatë këtyre ditëve, përpara trajnerëve shqiptarë, ka qenë edhe specialist i njohur i Koverçianos në Firence, Ferreto Ferreti.
Sipas përgjegjësit të Sektorit të Edukimit, në Federatën Shqiptare të Futbollit, Astrit Maçi: “Kursi UEFA Pro 3” është në fazën e tij më të rëndësishme, e cila do të vijojë edhe me disa etapa të tjera deri në muajin qershor kur do të bëhet edhe mbyllja e tij”.