AlbanianSport.com 19/10/2018 10:40
ASNN – Për gjyqtarët shqiptarë vjen një lajm i mirë. Për herë të parë një trupë gjykuese futbolli nga Shqipëria do të gjykojë një ndeshje të fazës së grupeve të Ligës së Evropës. Më herët kishin drejtuar deri në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve apo dhe Ligës së Evropës, por jo në fazën e grupeve.
Kështu, Enea Jorgji do të gjykojë ndeshjen midis AEK-ut të Larnakës së Qipros dhe Ludogorets Razgradit të Bullgarisë. Kjo është një arritje për gjyqtarin e Kategorisë Superiores, i cili më parë kishte arritur të gjykonte deri në turin e tretë eliminator të Ligës së Evropës e konkretisht ndeshjen midis Seviljes dhe Zalgiris Kaunas.
Në këtë ndeshje të radhës në fazën e grupeve, Jorgji do të ndihmohet nga një trupë gjykuese e tëra shqiptare. Në stadiumin e Nikozias, ai do të ketë ndihmën e dy gjyqtarëve anësorë, që janë Denis Rexha dhe Redi Avdo. Pas portave do të jenë Kridens Meta dhe Juxhin Xhaja, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Ridigert Çokaj.
Duke qenë se kjo është hera e parë që një trupë gjykuese futbolli nga Shqipëria gjykon e plotë në një ndeshje të fazës së grupeve, për gjyqtarët shqiptarë ky është padyshim një sukses, që shpresojmë të ndiqet edhe nga të tjerë në të ardhmen.