AlbanianSport.com 20.09.2016 11:35
ASNN – Debati nëse titulli “kampion” për sezonin e shkuar, duhet t’i hiqet Skënderbeut dhe t’i jepet Partizanit, tanimë është nxehur dhe drejtuesit e klubit të kuq kanë pretenduar se UEFA u ka dhënë atyre shpërblimin që u takon si “kampionë” të Shqipërisë dhe se, rrjedhimisht, Federata Shqiptare e Futbollit duhet t’i akordojë Partizanit edhe titullin “kampion”. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga burime zyrtare pranë FSHF-së, të cilat kanë sqaruar për Televizionin Shqiptar se një gjë e tillë do të vendoset në dhjetor.
Vendimi i UEFA-s për ta përjashtuar për një vit Skënderbeun nga veprimtaritë kontinentale të klubeve, për shkak të trukimit të ndeshjeve, dhe për të dërguar, në mënyrë të papritur, Partizanin, për të marrë pjesë në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve, ka hapur një debat të madh në mjedisin futbollistik shqiptar. Ky debat ka të bëjë me atë nëse, sipas logjikës së organizmit që qeveris futbollin kontinental, titulli “kampion” për sezonin e shkuar, duhet t’i hiqet Skënderbeut dhe t’i jepet zyrtarisht Partizanit.
Drejtuesit e klubit të kuq kanë pretenduar ditët e fundit me deklaratat e tyre në mediat sportive shqiptare, se UEFA u ka dhënë atyre shpërblimin që u takon si “kampionë” të Shqipërisë dhe se, rrjedhimisht, Federata Shqiptare e Futbollit duhet t’i akordojë Partizanit edhe titullin “kampion”. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga FSHF-ja. Burime zyrtare pranë këtij institucioni, që nuk dëshirojnë të bëhen të ditur, kanë pohuar për Televizionin Shqiptar se nuk është e vërtetë se UEFA i ka dhënë Partizanit shpërblimin që i takon si “kampion” të Shqipërisë.
“Nuk është e vërtetë, sepse, çfarëdolloj ndarjeje të ardhurash financiare nga UEFA bëhet në fund të vitit, pra në dhjetor”, – ka shpjeguar burimi në fjalë. – Për rrjedhojë, pretendimi i Partizanit nuk qëndron. Vetëm kur të jetë bërë kjo ndarje financiare, Federata Shqiptare e Futbollit do të veprojë në përputhje me rregulloren për të vendosur mbi fatin e titullit “kampion” të sezonit të shkuar”, – ka përfunduar burimi zyrtar pranë këtij institucioni, duke folur për Televizionin Shqiptar.