AlbanianSport.com 20.08.2015 16:25
ASNN – Nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit, gjyqtarët e Kategorisë Superiore, Të Parë dhe Të Dytë kanë zhvilluar këto ditë testet teoriko-praktike dhe ato fizikë. Këto testime bëhen në prag të fillimit të Kampionatit Kombëtare të Futbollit. Presidenti i Shoqatës së Gjyqtarëve në Shqipëri, Tahir Kastrati, tregon, se përveç testit teorik, gjyqtarët kanë kryer edhe testin fizik në pistën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” dhe rezultatet e tyre kanë qenë të kënaqshme.
Këto teste kryhen për të parë njohuritë dhe gjendjen fizike të gjyqtarëve në prag të fillimit të kampionateve kombëtare të futbollit, është shprehur Kastrati. Në testimet teoriko-praktike dhe ato fizike morën pjesë 18 gjyqtarë të Kategorisë Superiore dhe 20 të Kategorisë së Parë dhe Të Dytë. Testet fizike erdhën pas seminarit vjetor që Federata Shqiptare e Futbollit organizoi në kryeqytet, në mjediset e Hotelit “White Dream” në Sauk, ku morën pjesë gjyqtarët kryesorë dhe ndihmësit e tyre.
Sipas shefit të sektorit të gjyqtarëve në FSHF, Plarent Kotherja, nga sezoni në sezon, vihet re edhe rritja e nivelit të gjykimit në futbollin shqiptar, ndërsa ky seminar u fokusua në një analizë teknike të edicionit të kaluar si dhe ndryshimet e reja në rregullore, të cilat vijnë nga Federata Botërore e Futbollit (FIFA). “Ky është një seminar 3-ditor, që ne e zhvillojmë çdo vit, përpara nisjes së sezonit të ri dhe që përfshin të gjithë elementët e gjykimit të futbollit shqiptar”, – pati deklaruar Kotherja, duke folur për AlbanianSport.com.