Adriatik Balla 30.09.2015 17:05
Përballja e javës së parë në Kategorinë e Dytë midis Tepelenës dhe Memaliajt e mbyllur në fundin e pjesës së parë me një urdhër nga lart në Federatën Shqiptare të Futbollit, ishte një rast i paprecedent në Evropë në një kohë që takimi po zhvillohej normalisht, por po aq i paprecedentë është dhe vendimi i djeshëm i Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, i cili i ndëshkon si Tepelenën dhe Memaliajn me humbje në tavolinë.
Në bazë të rregullores, kur një ndeshje luhet, ka një rezultat dhe kur ajo kalon në komision disiplinor dhe kur ka shkelje të rregullores, njëri ekip humbet ndeshjen në tavolinë dhe tjetri, për kundërpeshë e fiton atë po në tavolinë. Por zyrtarët e FSHF-së, duke dënuar me humbje në tavolinë për mosshlyerje detyrimesh Tepelenën e Memaliajn, vetëm sa kanë trashur skandalin e tyre, pasi ky është ndoshta rasti unikal në botë ku dy ekipe humbin të dy në tavolinë.
Natyrisht, arsyeja e vendimit nuk është thjesht ndeshja dhe ecuria e saj, as shkelja e rregullores sportive, por një gafë e parë që ka sjellë një gafë të dytë dhe FSHF po bëhet institucion gafash, sepse këto janë raste specifike që kërkojnë trajtim ndryshe nga disiplinimi i zakonshëm. Me pak fjalë, nëse deri tani ishim mësuar që një ndeshje futbolli e fiton njëra skuadër, e fiton skuadra tjetër ose mbyllet në barazim, tanimë kemi mësuar se ekziston edhe një mundësi e katërt, një risi në llojin e saj, pasi ndeshjen e kanë humbur të dyja skuadrat…!