AlbanianSport.com 02.12.2014 20:45
ASNN – Menjëherë pas vendimit të Komisionit të Apelit në UEFA, Federata Shqiptare e Futbollit, ka reaguar me një komunikatë për shtyp, të publikuar në faqen zyrtare të saj në Internet. “Pavarsisht argumenteve juridike dhe fakteve të dokumentuara me foto dhe video, si edhe mbrojtjes profesionale të avokat Antonio Rigocit dhe studiove ligjore, të angazhuara nga FSHF, përsëri asgjë nuk ndryshoi”, – thekson komunikata për shtyp.
“Pavarësisht nga qëndrimi i njëjtë politik i Komisionit të Apelit, FSHF është e indinjuar për mosmarrjen parasysh e fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë, – vijon reagimi i FSHF-së. – Të pushtimit të fushës, nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarreve dhe të shumë elementëve të pasigurisë.”
“Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve, kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore, të zyrtarëve të ndeshjes, që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme, Shqipëria do të gjejë drejtësinë, – thekson organizmi që qeveris futbollin shqiptar. – Federata Shqiptare e Futbollit, e pakënaqur me këtë vendim njofton opinionin, dhe median, se do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë, pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, edhe më shumë e bindur se i takojnë tre pikët e fitores, së kësaj ndeshjeje.”
“FSHF do të vazhdojë betejën e saj ligjore, e qartë në qëndrimin e saj, se vetëm kështu do të fitojë vetëm futbolli. Një lojë e pastër, pa dhunë dhe pa racizëm”, – përfundon komunikata për shtyp e Federatës Shqiptare të Futbollit.