AlbanianSport.com 12/05/2020 21:15
ASNN – Me protokollin sanitar drejt miratimit, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do të mbledhë urgjentisht klubet e Superiores. Kështu, duket se edhe futbolli në vend është drejt rikthimit. Takimi i së martës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me përfaqësuesit e FSHF-së ka qenë i nivelit teknik dhe palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për Protokollin e Sigurisë, që, sidoqoftë, ende nuk është miratuar zyrtarisht.
Nga burime pranë organizmit që qeveris futbollin në vend, mësohet se lojtarët nuk do t’u nënshtrohen testimeve për “COVID-19”. Stafet mjekësore të klubeve do t’i vëzhgojnë herë pas here. Para ndeshjeve do t’u matet temperatura, ndërkohë që në rast se dikush do të ketë shqetësime, atëherë do të duhet të duhet të bëjë një vetëdeklarim për gjendjen e tij.
Ndërkohë, pas takimit të së martës, FSHF-ja ka njoftuar edhe për një takim mes klubeve të Kategorisë Superiore, ku do të bisedohet me shumë mundësi për plotësimin e kushteve për stërvitjet dhe ndeshjet. “Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë ditën e mërkurë një mbledhje me të gjithë Presidentët e Kategorisë Superiore për të diskutuar mbi mundësitë e rifillimit të futbollit”, – thuhet në një njoftim të shkurtër të FSHF-së.
“Kjo mbledhje vjen pas punës së kryer nga stafi i FSHF për përgatitjet mbi rifillimin e garës futbollistike në vend, – vijon më tej njoftimi. – Ekspertët mjekësorë të Federatës kanë përgatitur një protokoll mjekësor i cili është konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në dy takimet e zhvilluara ditët e fundit. Në ditët në vazhdim Federata do të zhvillojë takime me të gjithë anëtarët e saj.”