AlbanianSport.com 10.03.2016 16:10
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur një rekord në të ardhurat e saj gjatë vitit të fundit. Kjo u zbulua në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, ku u vlerësua gjithashtu ulja e dyshimeve për trukimin e ndeshjeve në futbollin në vend. Në këtë mbledhje të familjes së futbollit, u nderuan me çmime edhe disa prej emrave më të mëdhenj të së tashmes dhe së shkuarës.
Të ardhurat rekord për vitin e fundit dhe lufta kundër paracaktimit dhe trukimit të rezultateve të ndeshjeve të futbollit. Këto ishin dy temat kryesore të Asamblesë së Zakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pas raportit financiar të realizuar nga një kompani e pavarur auditimi rezulton se të ardhurat e qeverisë së futbollit në vend kanë arritur në 1 miliard e 600 milionë lekë.
Sipas drejtuesve të FSHF, kjo shumë është një rekord historik për këtë institucion. Por një pikë e rëndësishme e kësaj asambleje ishte dhe raporti i Komisionit të Etikës në lidhje me dyshimet për trukimin e ndeshjeve të futbollit në vend. Në lidhje me këtë çështje, presidenti Armand Duka bëri të ditur se në krahasim me një vit më parë dyshimet për trukimet e sfidave janë 100 herë më pak.
Nga ana tjetër, kreu i Komisionit të Etikës, në raportin e tij theksoi se 30% e rasteve të shqyrtuara janë regjistruar dhe proçeduar penalisht. Po ashtu, familja e futbollit në vend votoi edhe mandatin 2-vjeçar të Komisionit të Etikës në Federatën Shqiptare. Asambleja e përgjithshme e FSHF-së shërbeu për të nderuar edhe disa prej protagonistëve të tij të së tashmes së shkuarës.
Në këtë mënyrë, pas kualifikimit të Shqipërisë në “Euro 2016”, trajneri Xhovani de Biazi u vlerësua me çmimin “Nderi i Kombit në Futboll”. Me të njëjtin vlerësim u nderua edhe ish-futbollisti Refik Resnja. Ndërkohë me çmimin si futbollisti më i mirë i vitit u vlerësua mesfushori i Skënderbeut dhe Kombëtares, Sabien Lilaj.