AlbanianSport.com 09/08/2019 22:45
ASNN – Organizmi që qeveris lojën më popullore në vend, Federata Shqiptare e Futbollit, ka bërë publike të premten në mbrëmje vonë çmimet e biletave për Superkupën e Shqipërisë, që do të zhvillohet në datën 18 gusht në “Elbasan Arena”, mes Partizanit dhe Kukësit.
Siç dihet, kjo përballje, që shërben edhe për të ngritur siparin e sezonit të ri të futbollit shqiptar, është një ndeshje me një takim midis kampiones në fuqi dhe fitueses së Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë kryeqytetas fituan kampionatin sezonin e shkuar, ndërkohë që verilindorët trofeun e dytë të futbollit shqiptar, Kupën.
Për sa u përket çmimeve të biletave, më e lira kushton 300 lekë të rinj, ndërkohë që më e shtrenjtë kushton 1,000 lek të rinj (në tribunën VIP). Biletat mund të blihen pranë stadiumit “Elbasan Arena” dhe atij “Selman Stërmasi” si dhe te dyqani i FSHF-së te “Rruga e Elbasanit”.