AlbanianSport.com 28/11/2018 15:15
ASNN – 106-vjetori i Pavarsisë është kremtuar sot edhe në sport, në futboll, ku është zhvilluar ecidioni i 10-të i Kupës “Pavarsia” dhe ku fituese është shpallur skuadra e Strugës. Kjo veprimtari u zhvillua në Korçë dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Prej disa vitesh, “Kupa Pavarësia”, e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, zhvillohet në këtë datë dhe kështu ka ndodhur edhe të mërkurën, në aneksin dhe stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, ku katër skuadra shqiptare janë përballur mes tyre për trofeun kuqezi.
Fusha e blertë ka zbuluar edhe verdiktet, teksa ekipi i Strugës ka fituar edicionin e 10-të të kësaj Kupe simbolike. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale u përballën Otranti i Malit të Zi dhe 2 Korriku i Kosovës. Pati shumë luftë sportive, por mungoi goli. Nga pika e bardhë triumfoi Otrant, me shifrat 6-5.
Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, Struga ka mundur 1-0 Skënderbeun. Ekipi shqiptar nga Maqedonia siguroi në këtë mënyrë finalen e madhe, që e luajti përballë Otrantit të Ulqinit. Ajo përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të struganëve, që bëhen në këtë mënyrë fitues të “Kupës Pavarësia 2018”.
Ky ishte i dyti edicion radhazi që Struga e fiton këtë trofe. Ndërkaq, ekipi për lojën e ndershme, “Fair Play”, u vlerësua 2 Korriku i Kosovës, ndërsa çmimi i lojtarit më të mirë të turneut shkoi për Nijas Lenën e Strugës, futbollist që ka luajtur edhe në Shqipëri, me Flamurtarin, Teutën dhe Kukësin.