AlbanianSport.com 02.08.2015 20:25
ASNN – Para dy ditësh ka skaduar edhe afati i vendosur nga organizmi që qeveris sportin më popullor në vend, Federata Shqiptare e Futbollit për dy klubet që siguruan ngjitjen në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm, Tërbunin dhe Bylisin. Në fakt, ishte vetë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili gjatë përcaktimit të kalendarit për kampionati e ri, rreth një muaj më parë, deklaroi se këto dy klube kishin afat deri më 31 korrik 2015 për të plotësuar standardet e kërkuara për stadiumet dhe disa çështje të tjera organizative.
Sikundër dihet, stadiumet janë pjesa më kryesore e licencimeve dhe iu bë e ditur klubeve se nëse nuk arrinin që të plotësonin kushtet, atëherë nuk do të lejohen të garojnë në Superiore dhe se do të zëvendësohen nga dy ekipet e tjera të renditura të dytat, Besëlidhja dhe Lushnja. Burime zyrtare në FSHF kanë bërë të ditur se javën e ardhshme pritet një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv për të vendosur. Ajo që mësohet, është se Tërbuni ka ecur mirë me punimet në stadium, në një kohë që Bylis ka mbetur në “vend-numëro”.
Në këtë situatë do të jetë KE i FSHF-së që do të vendosë në lidhje me Tërbunin dhe Bylis nëse do të jenë pjesë e Superiores sezonin e ri apo jo. Megjithatë, ashtu siç ka ndodhur edhe në rastet e tjera, pritet që FSHF të tolerojë sërish dhe të lejojë Bylisin dhe Tërbunin që të luajnë në elitë. Nëse deri në mesin e gushtit, kur do të nisë kampionati, stadiumet e tyre nuk do të jenë plotësisht gati, gjë që ka pak gjasa të ndodhë, atëherë klubet do të duhet të gjejnë stadiume të tjera për të luajtur ndeshjet e parashikuara në fushën e vet.