AlbanianSport.com 10.08.2015 18:20
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futboll në Shqipëri nuk do të shtyhet, pavarisht se FSHF-ja pohon Skënderbeu ka ngarkesë për shkak të Ligës së Kampioneve. Por nuk do të ketë asnjë ndryshim në nisjen e Kategorisë Superiore. Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se kampionati do të nisë sipas kalendarit në 22 gusht, pavarësisht se Skënderbeu ka një ngarkesë të pazakontë.
Sekretari i Përgjithshëm i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Ilir Shulku, pohoi në linjë telefonike për televizionin informativ shqiptar, “ABC News”, se shtyrje nuk do të ketë. Të paktën, deri në këtë moment, nuk ka vendim tjetër. Kampionia e Shqipërisë do të luajë në 12 gusht ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Laçit, pastaj, më 19 gusht, vjen takimi i parë ndaj Dinamos së Zagrebit në Ligën e Kampioneve.
Më 22 gusht ndeshet në Shkodër ndaj Vllaznisë për kampionatin, dhe më 25 ka takimin e kthimit në Kroaci, në “play-off”-in e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Me tri përballje në vetëm 7 ditë, përfshi edhe udhëtimin për në Zagreb, skuadra e trajnerit Mirel Josa do të ketë vështirësi jo të vogla, aq më tepër që nuk janë provuar kurrë më parë.
Brenda një jave Skënderbeu luan ndeshjet e jetës, takime ku vendoset nëse do të luajë në grupet e Ligës së Kampionëve dhe nëse do të fitojë edhe 8 milionë euro të tjera. Kjo situatë në fakt bën që futbolli shqiptar të përballet, për herë të parë, me një realitet të ri të këtij sporti, një realitet që për një pjesë të mirë të klubeve të kontinentit është tashmë diçka e zakonshme.