AlbanianSport.com 01.10.2015 16:25
ASNN – “Masat e sigurisë do të jenë të rrepta dhe për këtë kemi patur bashkëpunimin e Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shqiptar”, – ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, për ndeshjen e futbollit Shqipëri-Serbi, e cila do të luhet në 8 tetor 2015 në Stadiumin “Elbasan Arena”. Ai ka sqaruar edhe njëherë se në stadium nuk do të ketë tifozë serbë.
Federata Shqiptare e Futbollit prej ditësh ka në fokusin e saj, masat e sigurisë që duhet të marrë për ndeshjen Shqipëri-Serbi që do të luhet në 8 tetor 2015 në “Elbasan Arena”. Nëpërmjet Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Ilir Shulku, FSHF-ja ka treguar edhe njëherë për të gjithë opinionin publik punën që është bërë deri tani, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Shqiptar.
Shulku ka sqaruar edhe njëherë se në stadium ditën e ndeshjes nuk do ketë tifozë serbë dhe Ballist Morina gjithashtu nuk do jetë. Ilir Shulku, në emër të Federatës ka kërkuar nga të gjithë tifozët, brenda dhe jashtë stadiumit që të tregojnë vlerat e popullit shqiptar, të mikpritjes dhe respektit. Takimi Shqipëri-Serbi do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.