Gjergj Vyshka 19.06.2015 18:35
Superiorja rrotullon goglat, por Bylisi e Tërbuni janë me kushte. Sekretari Shulku: Më 31 korrik 2015, këto dy skuadra duhet të marrin “dritën jeshile” nga sektori i licencimit në FSHF për plotësimin e kushteve të pjesëmarrjes në kampionat. Kategoria Superiore e Kampionatit të 77-të Kombëtar të Futbollit do të nisë më 22 gusht 2015.
Përfaqësuesit e 10 klubeve pjesëmarrëse janë njohur të premten me kalendarin e sezonit të ri futbollistik, pas shortit të hedhur në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ajo që duhet bërë e ditur është fakti se Bylis e Tërbuni, të cilët kanë ardhur sivjet nga Kategoria e Parë, duket se nuk janë plotësisht të sigurt për të marrë pjesë në elitën e futbollit shqiptar.
Sepse duhet të plotësojnë kushtet e kërkuara për pjesëmarrjen në kampionatin e Kategorisë Superiore, të cilat do t’i vërtetojë nëse janë të tilla për marrjen pjesë në elitë sektori i licencimit në FSHF. Të dy këto skuadra, sipas sekretarit Shulku, do ta marrin përgjigjen e pjesëmarrjes në Kategorinë Superiore më 31 korrik 2015, sepse duhet të plotësojnë kriterin e infrastrukturës dhe të organizimit si klub.
“Në të kundërt, – ka thënë Shulku, – do të vijnë lart ato skuadra të cilat plotësojnë kriteret e pjesëmarrjes në Kategorinë Superiore”. Që me shumë gjasa duket se do të jenë Apolonia e Elbasani, të cilat janë rrëzuar sivjet në Kategorinë e Parë, por që kësisoj ende kanë shpresë për të mbetur në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar.