AlbanianSport.com 06.10.2014 21:10
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ndaj kushteve të vëna nga federata serbe për tifozët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin takimin në Beograd më 14 tetor 2014. “Federata Shqiptare e Futbollit i quan kushtet e vendosura nga ju për praninë e tifozëve shqiptarë në Beograd, të parealizueshme nga ana jonë, – thuhet në letrën e FSHF-së dërguar homologëve serbë. – Së pari, ne nuk mund të listojmë dhe të marrim të dhëna personale nga tifozët.
“Së dyti, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë një gjë të tillë dhe së treti, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe as kohën në dispozicion për të bërë të tilla regjistrime, – vijon shkresa e organizmit që qeveris futbollin shqiptar. – Kushte të tilla nuk janë vendosur kurrë dhe me to njihemi për herë të parë. Ekipi kombëtar shqiptar, është shoqëruar nga tifozët e tij kudo në Evropë, madje edhe jashtë kontinentit si në Argjentinë apo SHBA.”
“Për vetë situatën që ka kombi ynë, bashkëkombasve tanë që jetojnë në Greqi, Gjermani, Angli, SHBA, etj, nuk mund t’ua privojmë të drejtën për të ndjekur ndeshjet e kombëtares tonë”, – thekson FSHF-ja. Për arsyet që përmenden më lartë, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon pajisjen me bileta për tifozët shqiptarë pa kushte. “Biletat e vëna në dispozicion nga ana e Federatës tuaj, ne do t’ua shpërndajmë shoqatave të tifozëve tanë për të ndjekur ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd më 14 tetor”, – përfundon deklarata.
Reagimi i FSHF-së mbërrin pas vendimit absurd të federatës serbe për të pranuar në Beograd vetëm shtetasit e Shqipërisë. Ditë më parë, Federata Serbe e Futbollit ka pranuar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit për pjesëmarrjen e tifozëve shqiptarë në ndeshjen Serbi-Shqipëri, më 14 tetor në Beograd. Dhe pas këtij lajmi pozitiv në pamje të parë, ka një prapaskenë me një shije të hidhur për tifozerinë shqiptare.
“Federata Serbe do të pranojë me kushte tifozët shqiptarë. Ata kërkojnë që të gjithë tifozët që do të futen në stadium të kenë pasaportë shqiptare. Nuk e di nëse mund të kundërshtohen këto kushte”, – pati deklaruar presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Një kush i panegociueshëm nga ana e palës serbe e cila shumë shpejt do të sjellë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit rreth 5% të biletave që janë në dispozicion për ndeshjen në Beograd, që do të thotë rreth 1,200 apo 1,300 bileta.
Por këto do të jenë vetëm për shqiptarët që janë të pajisur me pasaportë shqiptare, duke veçuar dhe përjashtuar nga mundësia për të ndjekur nga afër përfaqësuesen kuq e zi në Beograd, tifozerinë shqiptare të Kosovës. “Biletat do të jenë vetëm për ata që kanë pasaportë shqiptare”, – pati deklaruar Duka.