AlbanianSport.com 06/03/2024 13:50
ASNN – FSHF organizon seminar ndërkombëtar mbi të drejtën sportive me lektorë të njohur nga FIFA e UEFA. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do të organizojë më datë 15 mars një seminar ndërkombëtar ku do të diskutohen çështje të së drejtës sportive. Pjesëmarrës në këtë seminar do të jenë ekspertë të njohur të fushës së drejtësisë sportive në Evropë dhe në Shqipëri, profesionistë të fushës ligjore, përfaqësues të klubeve dhe përfaqësues të organeve juridike të FSHF-së.
Ky seminar do të trajtojë specifikisht disa aspekte të së drejtës sportive, ku do të diskutohen tema të ndryshme si transferimi i lojtarëve, rregullorja e agjentëve të FIFA-s, jurisprudenca e BE-së dhe jurisprudenca e gjykatës së futbollit, FIFA. Lektorët do të jenë emra të njohur si Tomas Leblatier, Këshilltar Ligjor pranë departamentit të “Clearing House” të FIFA-s, dhe Zhak Blondën, Avokat dhe Drejtor i Departamentit “Regulatory Enforcement” në FIFA.
Por edhe Salvatore Çivale, Drejtor i Qendrës së Legjislacionit dhe Politikave Sportive, Andrea Marketi, Avokat i specializuar në fushën e të drejtës sportive si dhe Aldi Topçiu, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF. Ky seminar që organizohet nga FSHF ka si qëllimin të sjellë zhvillimet më të fundit të drejtësisë sportive dhe praktikat ligjore sipas modeleve më të suksesshme evropiane nëpërmjet përvojës së ekspertëve të njohur ndërkombëtarë.