Albaniansport.net 19.01.2016 16:10
ASNN – Sipas njoftimit në faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, sot paradite, në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, është zhvilluar një seminar me vëzhguesit, në lidhje me problemet që kanë dalë gjatë pjesës së parë të këtij edicioni.
Sipas sektorit të vëzhguesve në Federatën Shqiptare të Futbollit, këto janë seminarë tematikë, të cilët kanë për qëllim të evidentojnë problemet dhe të sjellin përpara vëzhguesve momente të cilat kërkojnë vëmendje nga ana e tyre në pjesën tjetër të edicionit.
Pjesëmarrës ishin vëzhgues të Kategorisë së parë. Në vijim të këtij seminari, vëzhguesit analizuan problematikën e edicionit gush-dhjetor 2015 dhe pastaj zhvilluan një test në mënyrë elektronike, që prek problematikën e vëzhgimit. Analiza u krye nga Petrit Brahja.
Ndërsa referati në lidhje me ndryshimet në rregullore u mbajt nga Sokol Jareci. “Është një seminar, i cili ka për qëllim që të njohë vëzhguesit me problematikën aktuale të edicionit dhe t’i testojë ata”, – deklaroi për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së, Kryetari i Komisionit të Vëzhguesve, Petrit Brahja.
“Në përgjithësi, u trajtuan probleme që kanë dalë gjatë pjesës së parë të edicionit, – ka vijuar ai. – Gjithashtu ata u njohën me interpretimin e të rejave në rregullore.”