AlbanianSport.com 07.12.2015 12:05
Presidenti i FSHF-së nderon figurën e ish-peshëngritësit të njohur shqiptar, që u nda nga jeta dy ditë më parë. Humbja e kampionit të mirënjohur të peshëngritjes dhe një prej figurave më të mëdha të sportit shqiptar, Mirjan Hakanit, ka krijuar një boshllëk për komunitetin sportiv në Shqipëri.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i pranishëm në ceremonitë e përcjelljes, për në banesën e fundit të kampionit të mirënjohur vlerësoi figurën e tij, si sportist dhe si njeri. Në një mesazh dërguar familjes Hakani, presidenti i FSHF, deklaroi: “Është një moment i vështirë për të gjithë ne dhe sportin shqiptar”.
“Mirjan Hakani ishte nje sportist i madh dhe një figurë e spikatur sportive, që nuk i takon vetëm peshëngritjes por të gjithë sportit, madje duke i kaluar kufinjtë e tij, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar në ngushëllimin e tij. – Ai u largua i nga jeta, por la pas arritje dhe rezultate sportive të cilat do të mbahen mend gjatë.”
“Mbi të gjitha, ai la figurën e një miku dhe dashamirësi të jashtëzakonshëm të sportit. Për të cilin do të jete i nderuar”- tha ndër të tjerat i pari i futbollit shqiptar, ndërsa do të mbahet edhe një minutë heshtje përpara fillimit të ndeshjes Tirana-Partizani, që luhet sot në ora 14:00 në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.