AlbanianSport.com 26/02/2018 18:00
ASNN – Futbolli vazhdon të përfshijë mjaft fëmijë në lojën e tij. Këtë e vërteton edhe projekti “Grow”, një nismë që është shtrirë në shkollat 9-vjeçare të Tiranës, Durrësit, Shkodrës e disa qytete të tjera të vendit.
Në Shkollën “Fan Noli” në kryeqytet, nxënësit e klasave të para, djem dhe vajza, nën drejtimin e instruktorit të FSHF-së, Florian Shkreta dhe dy mësuesve të edukimit fizik, Pandeli Kuleçi dhe Endri Tele kanë zhvilluar një orë mësimi futbolli.
Por, sa i tërheq futbolli këta fëmijë kaq të vegjël? “Futbolli është një lojë që luhet nga të gjithë. Ky projekt shërben për të përzgjedhur në të ardhmen elementët e duhur, ata që kanë talent për ta vazhduar më tej këtë sport”, – thekson Kuleçi.
Nxënësit e vegjël kanë kryer me shumë dëshirë dhe pasion ushtrime të ndryshme me topin dhe në fund kanë zhvilluar disa minuta lojë futbolli. Për t’u vlerësuar është fakti se edhe vajzat e vogla kishin mjaft dëshirë për të luajtur futboll.