AlbanianSport.com 26.12.2014 08:50
ASNN – Drejtori i stadiumit “Qemal Stafa” ka theksuar se kanë nisur procedurat për fushën: “Ndërtimi i tapetit varet edhe nga kushtet e motit, të cilat mund të shtyjnë afatin”. Pas shumë vitesh, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” do të ndryshojë tapet, ku në vend të “baltës” pritet të shtrohet një fushë e re, ku ekipet e kryeqytetit do të kenë mundësi të luajnë normalisht ndeshjet e tyre.
Procedurat për ndërtimin tapetit të ri kanë nisur dhe pritet që ai të jetë i gatshëm për fazën e dytë të kampionatit. Duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Gazeta e Sportit”, drejtori i stadiumit, Eduard Prodani ka theksuar se në stadium do të riparohet vetëm fusha, pasi, sikundër është diskutuar shpesh këto vitet e fundit, stadiumi do të prishet për t’u ndërtuar një tjetër i ri.
“Ka filluar puna për ndërtimin e tapetit e ri të stadiumit “Qemal Stafa”, ku do të luhen ndeshjet e skuadrave të kryeqytetit, – ka deklaruar Prodani për të përditshmen në fjalë. – Punimet priten të fillojnë menjëherë brenda pak ditëve. Ndërkohë kanë nisur procedurat e nevojshme. Mendoj se fusha do të jetë gati me fillimin e kampionatit dhe ndeshja e parë shpresojmë që të zhvillohet me tapet të ri.”
“Kjo ka qenë iniciativë e FSHF-së dhe sponsorit, – ka vijuar ai. – Gjithsesi, mbarimi brenda afateve do të varet edhe nga kushtet e motit. Nëse do të ketë reshje, mund edhe të shtyhet disi afati i përfundimit. Gjithsesi, qëllimi i ndërtimit të fushës është që të jetë gati për të pritur ndeshjen e parë të fazës së dytë që zhvillohet më 24 janar. Ky investim do të jetë afat shkurtër, pasi stadiumi do të prishet dhe do të ndërtohet një impiant i ri.”
“Normalisht në këtë fushë me shumë mundësi do të zhvillohen edhe ndeshjet e kupave të Evropës, pasi do të jemi brenda afateve”, – përfundoi drejtori i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, Eduard Prodani. Para pak ditëve, ka qenë presidenti i FSHF-së, Armando Duka që ka bërë të ditur rinovimin e tapetit të stadiumit. “Për sa i përket asaj çka ofron impianti, duke mos lejuar zhvillimin e një ndeshje normale në kryeqytet, ne kemi menduar që gjatë periudhës së pushimit të ndërrojmë fushën e “Qemal Stafës” dhe në fazën tjetër të kampionatit të luajmë në një fushë të re”, – ka thënë ai.