AlbanianSport.com 09/02/2024 20:45
ASNN – Drejtoria Teknike mbledh Shoqatat Rajonale, prezantohet projekti teknik i ekipeve përfaqësuese rajonale të vajzave. Drejtoria Teknike e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatave Rajonale dhe me trajneret e ekipeve përfaqësuese rajonale të vajzave, të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës dhe Fierit.
Në këtë takim ishin të pranishëm Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Vajzave në FSHF, Florian Riza, trajneri i Kombëtares shqiptare të vajzave, Armir Grima dhe trajneri i përfaqësueseve rajonale për moshën Nën-13/Nën-14-vjeçe, Erion Stavri. Drejtori Fulvio Pea u ka prezantuar të pranishmëve projektin e ri teknik për ekipet përfaqësuese rajonale të femrave të vitlindjeve 2009-2012.
Një risi kjo e FSHF-së që do të marrë jetë së shpejti. Në kuadër të zhvillimit të talenteve të reja edhe në futbollin e femrave, ekipet përfaqësuese rajonale të vitlindjeve 2009-2012 do të kryejnë dy herë stërvitje në javë, ndërsa në muajin qershor do të organizohet për herë të parë turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për femra.
Drejtuesi i programit teknik do të jetë trajneri i Kombëtares shqiptare të vajzave, Armir Grima i cili do të bashkëpunojë ngushtë me trajneret femra të ekipeve përfaqësuese rajonale. Në këtë takim u diskutua gjerësisht edhe për objektivat që duhet të arrihen si edhe për mënyrën se si duhet përdorur metodologjia e stërvitjes për të përmirësuar në aspektin cilësor futbollistet e reja.