AlbanianSport.com 24.02.2016 16:35
ASNN – Kamerat i lejuan vetëm për disa minuta përpara mbledhjes, por nga fytyrat e gjyqtarëve dukej qartë se nuk prisnin asgjë të mirë. “Xhaketat e zeza” të futbollit shqiptarë janë kontestuar gjatë javëve të fundit të Kategorisë Superiore për shkak të vendimeve të tyre në disa prej ndeshjeve më të rëndësishme të kampionatit shqiptar. Tirana, Kukësi dhe Tërbuni kanë vendosur nën akuzë gjyqtarët Andi Koçi, Bardhyl Pashaj dhe Viktor Gjonaj, duke i akuzuar ata se ndërhynë drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjeve të tyre.
Kjo situatë e tensionuar mes klubeve dhe klasës së gjymit të futbollit shqiptar ka detyruar presidentin e Federatës, Armand Duka të thërrasë në një mbledhje urgjente gjyqtarët, delegatët dhe vëzhguesit e ndeshjeve për të analizuar këtë problematikë serioze. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, por burime pranë Federatës bënë të ditur se tonet nuk ishin të ulëta. Sipas tyre, presidenti i Federatës shqiptare të futbollit i ka kërkuar arbitrave të jenë të kujdesshëm në vendimet që marrin në fushën e lojës, në mënyrë që të mos vihet në dyshim rezultati i ndeshjeve, por edhe integriteti i kampionatit në përgjithësi.
Kjo kërkesë bëhet më e rëndësishme, aq më tepër që kampionatet e futbollit shqiptar po shkojnë drejt mbylljes dhe verdiktet e tij nuk duhet të vihen në diskutim. Një tjetër aspekt shqetësues i diskutuar në mbledhjen e fundit në Federatën Shqiptare të Futbollit me vëzhguesit dhe delegatët ishte dhuna e shfaqur në disa prej fushave të kategorive inferiore. Gjatë fundjavës, portieri i Domosdovës u dhunua në Ersekë, ndërsa në Memaliaj u godit gjyqtari i ndeshjes.