AlbanianSport.com 10/10/2021 17:55
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka reaguar pak para mesnate për fitoren e Kombëtares në Budapest, 1-0 ndaj Hungarisë vendase, duke mos e fshehur kënaqësinë e tij në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale. “Krenar për këtë skuadër, krenar për këta djem, – shkruan ai. – Ne sot treguam, ashtu si dhe më parë, që mund të bëjmë të lumtur me miliona shqiptarë kudo nëpër botë.”
“Ne luftojmë për ëndrrat, ne besojmë çdo sekondë te objektivat tonë, ne do i bëjmë ato realitet sepse ne e jetojmë dhe e duam këtë sport, – ka vijuar kreu i organizimit që qeveris futbollin në vend. – Të gjithë bashkë, me qetësi, me shumë besim, ne duhet të zbresim në fushën e lojës ndaj Polonisë të martën për të vazhduar rrugën tonë drejt suksesit. Me përulje, me punë, me djersë, ashtu siç dimë të luftojmë vetëm ne.”
“E marta na avantazhon, 22 mijë zemra kuqezi në stadium dhe 10 milionë shqiptarë nga ekrani televizorit do të na nxisim më shumë për ta prekur dhe bërë realitet UTOPIKEN!”, – ka përfunduar statusin e tij Duka. Ndërkohë, në një tjetër status të postuar të dielën në mëngjes, kreu i FSHF-së ka patur edhe një përkushtim për futbollistin kuqezi, Berat Gjimshiti, që u dëmtua në pjesën e parë të ndeshjes me hungarezët.
“I dashur Berat, – shkruan ai në këtë postim. – Dëmtimi jot i djeshëm më shqetësoi shumë, jo vetëm mua, por mijëra e miliona tifozë kuqezi që shikojnë te ty sigurinë e mbrojtjes tonë dhe profesionistin e jashtëzakonshëm që jep shpirtin për fanellën kuqezi. Fitorja e arritur ndaj Hungarisë shkon në veçanti për ty dhe atë që jep çdo ndeshje për ekipin tonë Kombëtar. Të uroj rikuperim të shpejtë dhe të presim sa më shpejtë në fushë me fanellën kuqezi”, – përfundon presidenti i FSHF-së, Armand Duka.