AlbanianSport.com 27/11/2018 14:10
ASNN – I ftuar në emisionin “Wake up”, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shprehur se asnjëherë nuk e kishte menduar shkarkimin e Panuçit, megjithëse theksoi se për trajnerin italian të kuqezinjve nuk jepte dot më shumë se nota 6 ose 7. Madje, në mënyrë të qeshur, Duka tha se kur është fjala për të vlerësuar me notë, vetes së tij i jepte notën 10.
Ndërkohë, kreu i Federatës mohoi të ketë pasur bisedime me Bledar Kolën për trajner të përfaqësueses. Madje çdo lëvizje për të ndryshuar kreun e stolit kuqezi në këtë moment, sipas Dukës do të ishte një eksperiment i dështuar. “Nuk kam kontaktuar me Kolën kohët e fundit, – u shpreh Duka në emisionin në fjalë, – pasi në mars nisin ndeshjet zyrtare dhe nuk mund të bëjmë eksperimente.”
Kristian Panuçi nuk u shkarkua nga kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend, pavarësisht se kuqezinjtë dështuan në Ligën e Kombeve, ku nga 4 takime të luajtura fituan një e humbën 3, me një golavarazh të dhimbshëm 1-8, gjë që nuk kishte ndodhur as në ditët më të vështira të Kombëtares.