AlbanianSport.com 31/03/2022 20:55
ASNN – Kongresi i 72-të i FIFA -s ka zhvilluar të enjten punimet në Doha të Katarit dhe në të morën pjesë drejtuesit e federatave nga e gjithë bota. Në këtë kongres, që u zhvillua pikërisht në vendin që do të presë finalet e Botërorit 2022, kanë marrë pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, Zëvendës-Presidenti, Lutfi Nuriu, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.
Kjo ishte hera e parë që ky takim zhvillohej me prezencë fizike të pjesëmarrësve që nga viti 2019 për shkak të kufizimeve të imponuara nga shpërthimi i epidemisë së “Covid-19”. Kongresi u drejtua nga Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, i cili mbajti edhe një fjalë hapëse, duke prekur një numër çështjesh që prekin futbollin botëror, e më pas u kalua në rendin e ditës së mbledhjes.
Anëtarët e FIFA-s diskutuan raportin financiar të vitit të kaluar, buxhetin për vitin e ardhshëm apo edhe ratifikimin e vendimeve të marra nga Këshilli i organizmit që qeveris lojës më popullore në planet. Gjithashtu, FIFA ka vendosur të pezullojë Pakistanin, Zimbabven dhe Kenian për shkak të ndërhyrjeve të politikës në zhvillimet e federatave të këtyre vendeve.