Gjergj Vyshka 29.01.2016 09:35
Shkëmbim fanellash mes tij dhe presidentit të Universitetit, Gafurr Dudaj; për të fanella me numrin një të Barleti Volejit, kurse për Dudajn fanella me numrin 10 të Kombëtares. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dje ka qenë mik në Universitetin “Marin Barleti”, atje ku janë përuruar edhe mjediset e reja sportive.
Ai është pritur nga presidenti i këtij Universiteti, Gafurr Dudaj, i cili është njëkohësisht dhe presidenti i kampionëve në fuqi të volejbollit të femrave, Barleti Volej. Një tufë me lule nga kapitenia e Barleti Volejit, Enkelejda Braho, e më pas i shoqëruar,nga rektori Maringlen Spiro, kreu i futbollit shqiptar ka hyrë në auditorin ku e prisnin studentët.
Një bashkëbisedim i gjatë mes tij dhe studentëve, shoqëruar dhe me pyetje e përgjigje, të cilat kanë pasur lidhje me suksesin e Kombëtares shqiptare dhe kualifikimin e saj në “Francë 2016”. Trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi, si dhe rektori Maringlen Spiro i kanë uruar mirëseardhjen e më pas është bërë dhe shkëmbimi i fanellave.
Për Gafurr Dudajn ka ardhur si dhuratë fanella me numrin 10 e kombëtares shqiptare, kurse për Dukën, fanella me numrin 1 e Barleti Volejit. Duket se ka lindur tashmë edhe një lidhje miqësore dhe e ngushtë mes të dy palëve.