AlbaniaSport.net 26.03.2015 12:35
ASNN – Është përuruar në qytetin e Gjirokastrës, fusha me bar artificial, e cila përmbledh një seri investimesh, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë së qytetit, që do t’i shërbejnë rritjes së cilësisë së futbollit. Sipas një njoftimi të botuar në faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, sot paradite, me dhjetëra qytetarë morën pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast. Ceremoninë e përshëndetën Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, dhe Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, të cilët edhe përuruan këtë impiant të ri.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, vlerësoi kontributin e FSHF në investimet për futbollin në qytetin e tij. “Është fakt, që falë ndihmës nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, në Gjirokastër janë ndërtuar disa objekte të rëndësishme sportive, si tapeti i stadiumit dhe disa ndërhyrje në të, minifusha e futbollit, në parkun e Viroit dhe fusha me bar artificial në të cilën do të kenë mundësinë që të stërviten ekipet zinxhir dhe të zhvillohen aktivitete të ndryshme”, – theksoi Bime.
“Jam i lumtur, që tashmë edhe Gjirokastra e ka të vetën fushën me bar artificial, – theksoi në fjalën e tij kreu i FSHF-së, Duka. – Tashmë unë nuk do ta quaja, si e quani ju tradicionalisht “fusha e vjetër” por “fusha e re”, sepse prej sot ajo do të jetë në dispozicionin tuaj dhe të skuadrave të Luftëtarit. Shpresoj dhe uroj shumë, që ajo të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe promovimin e futbollit në qytetin tuaj.” Pas ceremonisë u zhvillua një ndeshje miqësore mes veteranëve të qytetit dhe ekipit të Luftëtarit.