AlbanianSport.com 04/05/2021 20:10
ASNN – Ka përfunduar me sukses kursi “UEFA Football Education Programme”, i zhvilluar nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). Në këtë kurs që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, në bashkëpunim me organizmin që qeveris futbollit evropian, UEFA, morën pjesë 50 mjekë e fizioterapistë, ndërkohë që numri i kërkesave ka qenë i lartë, si nga brenda dhe nga jashtë vendit, por për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, nuk morën dot pjesë të gjithë.
Lektorë të kursit ishin emra të njohur, duke filluar që nga Xhanluka Stesina, i cili është Drejtues i Departamentit të Mjekësisë Sportive pranë FSHF-së, Ilvi Begolli, koordinator i Departamentit të Mjekësisë Sportive, Dr. Ridvan Alimehmeti, shef i Shërbimit të Kolonës në Repartin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, i cili foli për traumat e kokës, Dr. Fiona Konomi, nutricioniste e diplomuar në Nutricion Sportiv në Itali, Dr. Dritan Todhe, i cili ka një përvojë të gjatë në fushën e Ortopedisë, Mjekësisë Sportive dhe Traumatologjisë Sportive, si dhe lektorë të huaj.
Qëllimi i këtij kursi është zhvillimi i mëtejshëm i fushës së Mjekësisë Sportive në Shqipëri, që ende është e pazhvilluar për shkak të mungesës së strukturave universitare apo Fakulteteve që mund të kenë programe të integruara të kësaj fushe. Federata Shqiptare e Futbollit, përmes Departamentit të Mjekësisë Sportive, që është ngritur prej thuajse më shumë se një viti, po tregon kujdes të veçantë ndaj kësaj fushe, duke organizuar herë pas here kurse për të gjithë mjekët e rinj, fizioterapistët apo studentët e Mjekësisë, duke parë edhe mungesën e strukturave përkatëse universitare apo Fakulteteve që mund të kenë programe të integruara të kësaj fushe. Në përfundim të kursit, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikatë nga FSHF-ja.