AlbanianSport.com 19.08.2016 21:15
ASNN – Presidenti i Federatës Sllovene të Futbollit, Aleksandër Çeferin, ka mbërritur në Tiranë për të folur me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, për kandidaturën e tij si president i UEFA-s. Çeferini ka treguar disa nga idetë e platformës së tij, të cilën do ta pasqyrojë në zgjedhjet e datës 14 shtator në Athinë.
Kështu, Aleksandër Çeferini, presidenti i Federatës Sllovene të Futbollit është kandidati tjetër për president të UEFA-s që ka vizituar Shqipërinë, për të shpalosur platformën e tij. megjithëse ka qenë mjaft i rezervuar në pasqyrimin e ideve të tij, Çeferini ka theksuar se e ka të qartë programin se si duhet të ndihmojë sidomos federatat e vogla.
“Dua të përfshij më shumë federata në UEFA, – ka theksuar slloveni. – E për të realizuar këtë kam ide të qarta. Dua që ato të kenë akses edhe në proceset e vendimmarrjes në këtë organizëm. Një ide tjetër është edhe ajo e vendosjes së gjobave. Ato nuk duhet të jenë të njëjta për të gjitha federatat.”
“Kjo sepse një federatë e vogël nuk ka të njëjtin buxhet me një tjetër, – ka vijuar Çeferini. – Ky është një problem shqetësues. Pastaj kam edhe shumë ide të tjera për të ndihmuar federatat e vogla”. Ceferin vjen në Tiranë dy ditë pas holandezit Majkëll Van Prag, kandidatit tjetër për president të UEFA-s.
Për kreun e organizmit më të lartë të futbollit evropian, kandidon edhe spanjolli Angel Maria Vijar.