AlbanianSport.com 26.01.2015 14:35
ASNN – Në përgjigje të aludimeve për lëshime dhe trukimeve të ndeshjeve të javës së 19-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se nesër do të zhvillohet një mbledhje urgjente e Komisionit të saj të Etikës. Shefi i Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, ka sqaruar se janë mbledhur të gjitha provat e nevojshme dhe pamjet filmike, ndërsa Kodi i Disiplinës Sportive parashikon sanksione sportive, por edhe ndëshkime financiare.
Ndeshjet e fundjavës, që ishin edhe të parat për vitin 2015 në Kategorinë Superiore, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes së opinionit sportiv çështjen e lëshimeve dhe trukimeve. Skenat e tolerimit flagrant të shtunën në Vlorë, në takimin Flamurtari-Teuta, apo të dielën në ndeshjen Laçi-Partizani, kanë bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të thërrasë të martën një mbledhje urgjente e Komisionit të saj të Etikës. Një gjë të tillë e ka pohuar nëpërmjet linjës telefonike për AlbanianSport.com Shefi i Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi.
Ai ka sqaruar se janë mbledhur të gjitha provat e nevojshme dhe pamjet filmike, ndërsa Kodi i Disiplinës Sportive parashikon sanksione sportive, por edhe ndëshkime financiare. “Po, nesër të martën) do të mblidhet Komisioni i Etikës dhe ne si sektor garash i kemi përgatitur dosjen e nevojshme, me raportin e gjyqtarëve dhe delegatëve të ndeshjes, si dhe me pamjet filmike të ndeshjeve të aluduara”, – ka deklaruar ai, duke shtuar: “Tashmë është kompetencë e këtin organi që t’i shqyrtojë këto prova dhe të vendosë përkatësisht.”
Sipas nenit 68 të kësaj rregulloreje, që mbulon “influencimin në mënyrë të paligjshme i rezultatit të ndeshjes”, “kushdo që komploton për influencimin e rezultatit të një ndeshje në kundërshtim me etikën sportive do të dënohet me pezullim nga ndeshjet për një periudhë prej 6 muaj, si dhe me gjobë me një vlerë nga 1,500,000 lekë deri në 3,000,000 lekë. Me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, shkelësit do të dënohen edhe me përjashtim përjetë nga veprimtaritë futbollistike.
“Njëkohësisht, në rastin e verifikimit të pjesëmarrjes së një lojtari ose zyrtari në influencimin e rezultatit të ndeshjes, personi juridik, shoqata ose klubi ku bën pjesë lojtari ose zyrtari përkatës do të dënohet me gjobë me një vlerë prej 2,000,000 lekë. Me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, personi juridik, shoqata ose klubi përkatës do të dënohet edhe me zbritje të 12 pikëve, përjashtim nga gara ose kampionati, ose zbritje në një kategori më të ulët.