AlbanianSport.com 17/09/2021 20:10
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur që në ndeshjet e kampionatit të kësaj jave të mbahet një minutë heshtje në nderim të mjekut fizioterapist të Kombëtares, Ylli Mihali, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.
Ai ndërroi jetë të hënën e kaluar në moshën 55-vjeçare, pas një beteje të gjatë me virusin “Covid-19”. Ai u emërua fizioterapist i ekipit kombëtar të Shqipërisë në vitin 1994 dhe për 27 vjet në këtë pozicion ai u shndërrua në një simbol të kuqezinjve.
Në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e tij, Federata Shqiptare e Futbollit mori vendimin që të mbahet një minutë heshtje para fillimit të çdo ndeshjeje të kësaj jave.
Kjo do të bëhet duke filluar që sot në ndeshjen e parë të javës së dytë të Kategorisë Superiore, Dinamo-Laçi, dhe për të vazhduar në të gjithë sfidat e kategorive të tjera që e kanë nisur sezonin.