AlbanianSport.com 22/10/2021 17:55
ASNN – Fillojnë nga Elbasani e Korça përzgjedhjet për përfaqësueset rajonale, Mema: Monitorojmë çdo element të talentuar. Departamenti Teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka filluar këtë javë përzgjedhjet për përfaqësueset rajonale të vitlindjeve 2008, 2009 dhe 2010. Përzgjedhjet do të zhvillohen në 8 Zyrat Rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit, për të evidentuar elementët cilësorë në këto grupmosha dhe më pas për të vazhduar përgatitjet ҫdo fillim jave me stafet teknike që kamë Përfaqësueset Rajonale për ekipet e Nën-13, Nën-14 dhe Nën-15-vjeçarëve.
Përzgjedhja për elementët më cilësorë të këtyre skuadrave ka filluar me Zyrën Rajonale të Elbasanit, ku ishin të pranishëm Sulejman Mema, specialist pranë Drejtorisë Teknike në FSHF, Armand Dama, trajneri i Kombëtares së Nën-15-vjeçarëve, Ardi Behari, trajneri i Kombëtares së Nën-18-vjeçarët, si edhe trajnerët e ekipeve Përfaqësuese Rajonale të Elbasanit, Eriol Merxha, Egert Kuci, Marsid Dushku, Muhamerr Dosti dhe Bujar Gogunja. Në këto përzgjedhje ishin të pranishëm 141 lojtarë, nga të cilët, 46 janë të vitlindjes 2008, 58 janë të vitlindjes 2009 dhe 37 janë të vitlindjes 2010.
Duke folur për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së, Sulejman Mema, u shpreh se organizimi i Përfaqësueseve Rajonale është shumë i rëndësishëm për të mbajtur nën monitorim të gjithë elementët cilësorë nëpër Shqipëri dhe për të bërë përzgjedhjen më të mirë për ekipet kombëtare. “Kemi ardhur në Elbasan, ashtu si ҫdo vit, për ekipet Përfaqësuese Rajonale që fillojnë organizimin në fillim sezoni për të përzgjedhur elementët më të mirë për skuadrat e Nën-13, Nën-14 dhe Nën-15-vjeçarëve, – ka thënë ai. – Qëllimi jonë është të evidentojmë lojtarët e datëlindjeve 2008, 2009 dhe 2010.”
“Këtë vit shtohen vitlindjet 2008, sepse vitlindjet 2007 shkojnë te ekipet kombëtare më lart, – ka vijuar ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur. – Nga vjet në këtë vit ka progres te lojtarët që kemi evidentuar. Shpresoj shumë që edhe këtë vit puna të shkoj mirë në Turneun e Përfaqësuese Rajonale që bëhet në muajin dhjetor, ku Elbasani shkon luan në Fier, të jetë në ato parametra që kanë qenë në vitin e kaluar. Do të ndjehem mirë që Elbasani shumë shpejt të marri atë pamjen që ka pasur, flas për skuadrën e parë që është në kategoritë inferiore, duke parë që është qytet i traditës në futbollin shqiptar.
“Por dhe gjithmonë na ka furnizuar me element të mirë”, – ka përfunduar specialisti pranë Departamentit Teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit, Sulejman Mema. Përzgjedhjet kanë filluar edhe në Zyrën Rajonale të Korҫës për grupmoshën e Nën-14-vjeҫarëve dhe do të vazhdojnë javën e ardhshme në Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër, Lezhë e Shkodër.