AlbanianSport.com 22/09/2021 20:55
ASNN – Do të nisë në muajin tetor kursi i radhës për formimin e fizioterapistëve, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ky kurs, që do të udhëhiqet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF, do të marrë udhë më datë 13 tetor 2021 dhe do të jetë i ndarë disa faza për t’u përmbyllur me provimet finale më muajin korrik 2022. Lektorët kryesorë do të jenë dy përfaqësuesit e departamentit të mjekësisë sportive, Xhanluka Stesina e Ilvi Begolli, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë.
Ky kurs për mjekësinë sportive nuk është i pari, teksa është pjesë e një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standardeve më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Prej kohësh FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët e rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, institucionet spitalore si dhe federatat e tjera sportive në vend.
Federata dhe Presidenti Duka kanë vendosur tanimë të investojnë fuqishëm në formimin e stafeve teknike, që nga trajnerët e deri te përgatitësit atletikë, mjekët fizioterapistët, video-analistët, për të vijuar me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të sigurt për futbollin në vendin tonë. Kriteret për të fituar të drejtën për t’u pranuar në kursin e fizioterapisë janë këto:
- Vendbanimi në Shqipëri, sidoqoftë, Drejtoria Teknike rezervon të drejtën për të autorizuar pjesëmarrjen në kurs për qytetarët shqiptarë, të cilët banojnë jashtë vendit, për të gjithë ata që kanë shtetësi të dyfishtë dhe qëndrojnë jashtë vendit dhe për të gjithë ata që për arsye të konstatuara të punës ose studimit (me paraqitjen e një kopje të kontratës së punës ose certifikimit të universitetit ose një organi tjetër trajnues), të ketë vetëm vendbanimin e zgjedhur ligjërisht;
- Diplomë e Universitetit të Mjekësisë ose vërtetim që studion aktualisht në Universitetin e Mjekësisë dega Fizioterapi.
- Kandidati duhet të jetë pajisur me certifikatë shëndetësore lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);
- Njohja e gjuhës shqipe e cila mund të verifikohet përmes një certifikate të lëshuar nga organet kompetente;
- Dy fotografi format pasaporte.
- Fotokopje e ID ose e Pasaportës.
- Në kurs do të pranohen maksimalisht 30 (tridhjetë) studentë pas seleksionimit prej komisionit.
- Bashkëngjitur me kërkesën për regjistrim duhet dorëzuar një Curriculum personal që përfshin gjithë aktivitetin si fizioterapist.
Kërkesa për regjistrim duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën drejtoria.teknike@fshf.al, përmes postës së zakonshme në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pran sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 06.10.2021. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.
Drejtoria Teknike mund të pranojë në kurs, persona me aftësi të kufizuara. Kërkesa, duhet të shoqërohet me certifikatën përkatëse mjekësore për veprimtari sportive jo konkurruese dhe duhet t’i dërgohet paraprakisht me postë elektronike Departamentit Mjekësor të FSHF në adresat gianstesy@libero.it dhe/ose ibegolli@fshf.al.
Ata që pranohen në kurs duhet të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 70 Euro për periudhë në qoftë se nuk duan ta ndjekin të gjithë kursin e fizioterapisë, ndërsa për personat që duan të ndjekin të gjithë periodat dhe të përfitojnë licencën në përfundim të kursit u duhet të paguajnë 450 euro që në fillim të kursit.
Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të kursit, kontaktoni tek adresa e postës elektronike: drejtoria.teknike@fshf.al.