AlbanianSport.com 15/12/2018 13:05
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit, i ka nisur një shkresë UEFA-s, ku e lajmëron se ndeshja e parë eliminatore për Evropianin 2020, kundër Turqisë, do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Ky takim është planifikuar të luhet më 22 mars 2018, ditën kur në Tiranë dhe në gjithë vendin festohet dita e Sulltan Novruzit dhe, në një përkim interesant, pikërisht në ditën e ekuinoksit pranveror.
Arsyeja e shkresës nuk është vetëm e natyrës zyrtare, pra për informim, por edhe për të qartësuar një situatë të komplikuar që kishte të bënte me vendimin e parë jo zyrtar, ku ndeshja ishte parashikuar të luhej në Stadiumin “Elbasan Arena”. Të gjithë shpresojnë që kualifikueset të nisin mbarë për Shqipërinë, për më tepër ndaj një rivali direkt si Turqia.
Ky kundërshtar llogaritet i fortë në rivalitetin për vendin e dytë, ndërkohë që Franca, një tjetër rival në grupin tonë, llogaritet favorite e padiskutueshme për vendin e parë. Në fakt, Shqipëria shpresonte që eliminatoret e Euro-2020 të nisin nga kryeqyteti, pra nga stadium i ri kombëtar, por kjo nuk realizohet dot, pasi impianti kombëtar në kryeqytet do ende punë deri në përfundim.
Ai mund të jetë gati në vjeshtën e vitit të ardhshëm, pra në duelet vendimtare për kualifikimin në Evropian. Caktimi i Stadiumit “Loro Boriçi” për të pritur ndeshjen e parë eliminatore të Euro-2020-s, është një shenjë e qartë se FSHF po shfrytëzon një impiant më të madh në përmasë dhe njëherësh me mundësi më të mëdha për të mbushur shkallët, gjë që na mungoi në Ligën e Kombeve.